Gjykata Kushtetuese, do të shqyrtojë në seancën e përcaktuar më 18 Qershor 2024, bashkë të treja paditë e depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari.

Padia e parë në Kushtetuese, u depozitua në muajin shkurt 2024 nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së. Më pas në muajin Mars, u dërgua një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA).

Nismës së avokatit Lulzim Alushaj për moszbatimin e ligjit si antikushtetues, në një padi të tretë më 19 Prill depozituar në Gjykatën Kushtetuese, iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financiarë, agjentë të shitjeve të pronave etj, edhe shoqata biznesi.

Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkesat e jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM), Shoqata “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, do të zhvillohen në seancë plenare publike më 18 Qershor.

“Shfuqizimi i pjesshëm i nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, për sa i përket profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Shfuqizimi i nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, që i referohet nënndarja 69, për profesionin të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor dhe profesionit të avokatit, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Pezullimi i zbatimit të nenit 3, pika 5, nenit 12, pika 1, shkronja “ç”, nenit 24, pika 2 dhe nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, si dhe nenit 4, pika 1 dhe i tabelës analitike nr. 2, nënndarja 69, të VKM-së nr. 753, datë 20.12.2023, për pjesën që i referohet profesionit të kontabilistit/ekspertit kontabël/audituesit ligjor, dhe profesionit të avokatit derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, citohet në objektin e padive.

Më herët, përfaqësuesit e 3 padive pohuan për Monitor se arsyet e dërgimit të ligjit në Kushtetuese janë, cenimi i barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, dhe shkeljes së konkurrencën mes bizneseve me efekt rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë.

Avokat Alushaj, tha për Monitor se arsyeja kryesore e dërgimit të kërkesës për shfuqizimin e ligjit është antikushtetueshmëria, duke marrë në konsideratë: Cenimi i parimit të barazisë para ligjit dhe mos diskriminimit, Cenimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe profesionit, Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike – Parimet e sigurisë juridike dhe mbrojtja e pritshmërisë së ligjshme, Paragjykimi i hyrjes në profesionet e lira dhe rëndësinë e vazhdueshmërisë së profesioneve të rregulluara (ose jo), Cenimi i drejtpërdrejtë i konkurrencës dhe ngritja artificiale e çmimeve të shërbimeve, arsyetimi mbi pasojat që sjell aplikimi i Ligjit dhe pezullimin e pjesshëm të tij etj”, nënvizon avokat Alushaj.

Edhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku, pohoi për Monitor se kërkesa për shfuqizimin e tij u dërgua me argumentet e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe shkeljes së barazisë përpara ligjit.

Edhe për IKM pretendimet në lidhje me shkeljet kushtetuese janë: 1.Cenimi i parimit të barazisë para ligjit; 2.Shkelja e të drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit; 3.Cënimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike; 4.Cënimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.