Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit të bëhet përmes votimit të hapur.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht 2025, Gjykata vlerëson se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nuk e ka respektuar vendimin e mëhershëm të saj të datës 26 qershor. Për këtë arsye, të gjitha seancat e mbajtura në periudhën 27 qershor – 6 korrik janë shpallur të pavlefshme.

Gjykata ka urdhëruar që seanca konstituive të vazhdojë nga pika e tretë e rendit të ditës, e miratuar më 8 prill 2025. Kryesuesi i seancës duhet të ftojë grupin më të madh parlamentar që të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, i cili do të zgjidhet përmes votimit të hapur – proces që mund të përsëritet deri në tre herë për të njëjtin kandidat.

Gjykata ka konstatuar se veprimet e deritanishme të kryesuesit nuk janë në përputhje me aktgjykimin e saj të mëparshëm dhe për rrjedhojë bien ndesh me Kushtetutën, përkatësisht me nenin që përcakton efektin juridik të vendimeve të saj.