TIRANË, 08 mars 2013 – Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot kërkesën e Partisë Socialiste për ndarjen e 140 mandateve të deputetëve. Ndarja e 140 mandateve, sipas skemës së vjetër të përdorur në zgjedhjet e 2009-s, është kontestuar nga socialistët.

Partia Socialiste kërkoi që të shfuqizohet vendimi i Kuvendit për ndarjen e 140 mandateve të deputetëve sipas skemës së përdorur në 2009-n, duke kërkuar njëkohësisht kthimin e çështjes në KQZ, si i vetmi institucion që ka të drejtën e përllogaritjes së një procedure të tillë ligjore, e cila më pas “vuloset” nga Kuvendi. 

Nisma e PS-së u firmos nga 1/5 e deputetëve të saj, ku u kërkuan dy çështje: “Shfuqizimi si antikushtetues i vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 2/2013, datë 31.01.2013 ‘Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013’” dhe pezullimin e zbatimit të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”.