TIRANE – Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin e datës 31 tetor 2012 të marrë pas kërkesës së bërë nga Shoqatat e Qiramarrësve kundër aktit normativ të qeverisë që kërkonte lirimin e banesave të pronarëve.
Avokati Dorjan Matlija pas marrjes së arsyetuar të vendimit deklaroi se Kushtetuesja e ka marrë sot vendimin dhe jo më 31 tetor duke i lënë kështu hapësira qeverisë për të zbatuar këtë akt.
“31 tetor, Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë një vendim, pra nuk është marrë në këtë datë por sot më 6 shkurt. Kjo tregon që Gjykata Kushtetuese në 31 tetor nuk i ka pasur idetë e qarta se cfarë do thoishte në rrëzimin e kërkesës, por e ka bërë këtë lloj manovre vetëm që të rrëzonte kërkesën për pezullim që ka bërë shoqata e qiramarrësve. Kjo gjykatë i dha dritën jeshile qeverisë që të mos e pezullonte aktin, që ta zbatonte dhe pastaj mori kohën e mjaftueshme për të gjetur arsyet se pse e rrëzoi që në datën 31”, tha ai më tej.
Avokati Matlija deklaroi më tej se vendimi i Kushtetueses do të dërgohet në Gjykatën e Strasburgut.
Akti normativ i qeverisë për lirimin e banesave të pronarëve ka shkaktuar javët e fundit përplasje dhe tension madje deri në kërcënime me jetë nga qytetarët që jetojnë në këto banesa.





