Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare, ka deklaruar se borxhi publik, me konçesionet që janë dhënë së fundmi, është 130%, duke rrëzuar Shqipërinë përtokë. Berisha e quajti qeverinë një organizatë kriminale. "Keni pasur 54 vrasje në vetëm 31 ditë, duke shitur shpirtra të vdekurish për sukses, – tha Berisha. – Shqipëria është një mini Afganistan. Borxhi publik nuk është më 74% e GDP, po me konçesionet që kanë dhënë këta ju garantoj se borxhi publik është 130%, që do rrëzojë Shqipërinë përtokë e nuk do ngrihet në këmbë për një kohë të gjatë."

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po inauguron nga tre herë vepra të cilat janë ndërtuar apo projektuar që në vitin 2009, si Babica, Transballkanikja etj. "Kur keni një njeri si ky, këto do thoni. Një piktor dështak. E dëgjuat sot? Vetëm boja, boja, boja, po s’di tjetër gjë përveç bojës ai. Të paktën sot ishte origjinal,” – tha Berisha.