Ish-ministri i financave Shkëlqim Cani ka dëshmuar përpara komisonit hetimor parlamentar mbi dyshimet e klonimit të serverit të administratës tatimore. Cani ka pranuar se ishte ai që kishte vendosur në kushte emergjence kryerjen e kontrollit të serverit, duke përzgjedhur edhe anëtaret e grupit të auditit. "Nga verifikimet që janë bërë në Drejtorinë Tatimore të Tiranës, kishte raste ku janë bërë veprime në sistem dhe personat, emrat e të cilëve përmendeshin, nuk e pranonin që e kishin bërë vetë ndërhyrjen," – tha ish ministri i financave Shkëlqim Cani.
Dyshimet se përzgjedhja e anëtareve të grupit të auditit dhe mënyra e bërjes së kontratës ishin bërë të pambështetura në ligj, dhe për rrjedhojë opozita në komision hedh dyshime se janë marrë të dhënat e tatimeve për qëllime të tjera jashtë atyre të përcaktuara në raportin e auditit, ka ngjallur debate mes kryetarit të komisonit Arben Ristani dhe ish-ministrit Cani.
"Nuk keni zbatuar aspak, se keni lidhur një kontratë për një shërbim, kontrata për një shërbim lidhet mbi bazën e ligjit për prokurimimin publik. Ata personat që çuat ju, i futën në sqetull natën të dhënat dhe ikën nga drejtoria e tatimeve," – tha deputeti demokrat Ristani.
"Ju referoheni për atë që është me para. Unë po ju them se i kam marrë pa para. Ju konkluduat për gjëra që unë nuk e di nga i dini," – u përgjigj Cani.
Duke insistuar se ka vepruar konform ligjeve dhe në favor të interesave të shtetit, ish-ministri Cani i ka bërë thirrje ministrit aktual të financave që, pas përfundimit të këtij komisioni, të ngrejë një tjetër grup kontrolli për të verifikuar sërish serverin për të cilin u ngrit ky komision, pasi Cani dyshon se ka akoma shkelje dhe vjedhje në dëm të interesave të shtetit.





