Deputeti dhe kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, foli në Kuvend lidhur me vizitën e ministrit të jashtëm Ditmir Bushati në Greqi dhe tha se ministri nuk foli drejtpërdrejtë për çështjen çame, ndërkohë që deklaroi se do të marrë të gjitha masat për moslejimin e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri.

"Më bëri përshtypje moshapja e çështjes çame në mënyrë të drejtpërdrejtë në konferencën për shtyp me ministrin e jashtëm grek, një detyrim që buron nga rezoluta e parlamentit të Shqipërisë, por edhe nga një rezolutë që buron nga koha kur PS ishte në opozitë. Ne kemi kërkuar të ngrihen varrezat për shqiptarët e Çamërisë, të vrarë dhe të masakruar në Greqi nga bandat e Napolon Zervës. Në Igumenicë ndodhet një përmendore e Napolon Zervës dhe, në këto kushte, në qoftëse nuk ngrihen varrezat e shqiptarëve të Çamërisë të masakruar në Çamëri, do të marrim të gjithë hapat për të mos lejuar ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, së bashku me shoqërinë civile dhe gjithë hapat ligjorë," – u shpreh Idrizi.

Rezultatet e vizitës së fundit të ministrit të jashtëm ditmir Bushati në Athinë duket se nuk kanë përmbushur pritshmëritë e PDIU, aleati më i ri i koalicionit të majtë qeveritar. Deklarata e tij nuk mori përgjigje, ndonëse shefi i diplomacisë Ditmir Bushati ishte i pranishëm në sallën e parlamentit. Në prag të vizitës së ministrit Bushati në Athinë, kreu i PDIU i kërkoi publikisht që në bisedime me palën greke të diskutohet edhe çështja e shqiptarëve të Çamërisë, duke i kujtuar se zgjidhja e saj është edhe në programin e qeverisë.