Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancën plenare të kësaj të enjte, ka mbrojtur politikat e qeverisë në ekonomi dhe ka nënvizuar se ekzekutivi do të rrisë bashkëpunimin publik-privat. Në fjalën e tij, Rama ka vënë në dukje se ky opsion, që synon të rrisë cilësinë e shërbimit në shëndetësi dhe sektorë të tjerë, është promovuar edhe nga Banka Botërore.

“Ne do vijojmë me këmbëngulje ta zgjerojmë bashkëpunimin me sipërmarrjen në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve, – ka thënë Rama. – Nëse ne nuk rrisim borxhin, por përkundrazi ka një trend në ulje, nëse nuk rrisim taksat, por përkundrazi ka një trend në ulje, atëherë rruga e tretë për përmirësimin e investimeve në funksion të përmirësimit të shërbimeve është partneriteti publik-privat… Kjo nuk është shpikja jonë, por Shqipëria është e fundit në rajon dhe Evropë për zbatimin e këtij partneriteti. Kjo është një politikë e qartë dhe e mirëpërcaktuar.”