Kryeministri Edi Rama ka sulmuar vendimin e opozitës për të mos votuar projektligjin për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Më herët, Partia Demokratike kërkoi me ngulm miratimin e këtij ligji, pasi ishte hartuar me konsensusin e të gjitha palëve. Por, një ditë më parë, njoftoi se nuk ishte dakort me faktin se Byroja Kombëtare e Hetimit do të ishte pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
Por, kryeministri Rama ka theksuar se projektligji gjithnjë ka qenë një dhe i vetëm, dhe asnjëherë nuk është ndryshuar. “Po e them edhe një herë tjetër se drafti i votuar nga qeveria është drafti i dakordësuar dhe, edhe në rrëfimin e gënjeshtarit ishte krejtësisht e pavërtetë rruga e draftit, është ndryshe, – tha Rama, duke iu drejtuar deputetit demokrat Sali Berisha. – E para, partnerët amerikanë kanë mbështetur draftin që ne kemi votuar në këtë Kuvend, e kanë mbështetur dhe e kemi punuar me partnerët amerikanë dhe me ekspertët e FBI. Pasi ra në Gjykatën Kushtetuese, kemi rifilluar punën me ta. Kjo është e vërteta… Është një gënjeshtër komplet që, në variantin e parë, Byroja varet nga Kryeministri, është gënjeshtër komplet që, në variantin e dakordësuar, Byroja ka ndonjë lidhje me Kryeministrin. Varianti dakordësuar është që Byroja është një njësi hetimore ku Prokurori i Përgjithshëm ka veton për drejtorin dhe hetimin, dhe njëkohësisht ku hetimi kryhet në bashkëpunim me Prokurorinë. Nuk ka asnjë shpikje këtu. Është një strukturë e thjeshtë dhe shumë efikase, sipas këndvështrimit tonë. Keni rënë dakord ju. Dakord, ndërruat mendim dhe erdhët tek mendimi ynë, por pse dolët dhe sulmuat përsëri me gënjeshtra dhe me shpifje, duke i rënë ndesh të vërtetës?! Kjo është pyetja ime.”





