Kryeparlamentari Ilir Meta ka sqaruar mosfutjen në rendin e ditës të projektligjit për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një propozim ky i Partisë Demokratike që të shqyrtohej me procedurë të përshpejtuar. Në reagimin e tij, kreu i Kuvendit tha se, pavarësisht kërkesës, Partia Demokratike nuk kishte një projekt përfundimtar më vete.
“Duke përshëndetur faktin që ata janë dakordësuar me këtë iniciativë, e cila u miratua një herë nga ky parlament dhe më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mospajtim me parimet e Kushtetutës, që atë variant për të cilin Partia Demokratike është dakord, ajo mund ta depozitojë në Kuvend dhe ndërkohë ai variant mund të ndjekë rrugën e vet sipas procedurave parlamentare, – tha Meta gjatë seancës së sotme parlamentare. – Kështu që mendoj që ky është një debat i panevojshëm, sepse nuk e kemi të qartë se për cilin variant bëhet fjalë. Por, atë variant për të cilin është dakord Partia Demokratike mund ta depozitojë në Kuvend sipas Rregullores së Kuvendit dhe ne do ta ndjekim atë me prioritet.”





