Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi një takim me ambasadoren e BE, Romana Vlahutin, dhe ambasadorin e SHBA, Donald Lu. Gjatë takimit u diskutua dhe shkëmbyen mendime mbi hapat e mëtejshëm të procesit të reformës në drejtësi, si edhe kalendarin e axhendës parlamentare për përmbylljen me sukses të saj, pas mbërritjes së opinionit përfundimtar nga Komisioni i Venecias. Kryetari i Kuvendit shprehu mbështetjen e tij maksimale dhe konkrete për përmbylljen me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese, mbështetur mbi bazën solide dhe profesionale të rekomandimeve përfundimtare të Komisionit të Venecias.

Meta shprehu vlerësimin e tij për punën e madhe të kryer nga grupi i ekspertëve dhe veçanërisht asistencën dhe kontributin e çmuar të misioneve të EURALIUS dhe OPDAT për t’u dhënë zgjidhje të gjitha çështjeve dhe komenteve të palëve të përfshira në këtë proces.

Meta informoi ambasadorët Vlahutin dhe Lu edhe mbi fillimin nga puna të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të kryhen në përputhje me standardet me të larta evropiane.