Ka nisur pasditen e sotme sesioni i ri kuvendor për këtë vit. Në fjalën përshëndetëse me këtë rast, kryeparlamentari Ilir Meta bëri thirrje që gjatë këtij sesioni t’i kushtohej rëndësia e duhur reformës në drejtësi si reforma më e rëndësishme për vendin në këto momente.

Sipas Metës, reforma në drejtësi duhet të ishte kryeprioriteti i këtij sesioni për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë drejtësinë që kërkojnë dhe meritojnë. Por, ai ka theksuar njëkohësisht edhe kushtin themelor të saj, që ishte konsensusi. “Pa konsensus kjo reformë nuk mund të arrihet”, – shtoi Meta.

Më tej, kryeparlamentari ka shpalosur në tërësi programin e punimeve të Kuvendit në këtë sesion, ku veç përmbylljes së reformës në drejtësi, do të nisë puna për ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, zbatimin e ligjit për figurën e funksionarëve publikë, përmirësimin e funksionit ligjvënës të Kuvendit, forcimin e rolit mbikëqyrës dhe rritja e transparencës së punës së Kuvendit, etj.