Në kuadër të direktivave që rrjedhin nga ligji i dekriminalizimit, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka nxjerrë urdhërin për caktimin e strukturës së posaçme, pranë të cilës do të dorëzohen dhe administrohen formularët e vetëdeklarimit të zyrtarëve të zgjedhur. “Kryetari i Kuvendit te Shqipërisë, në vijim të detyrimeve që burojnë nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe nga Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin 138/2015”, ka nxjerrë urdhërin për caktimin e strukturës së posaçme, pranë të cilës do të dorëzohen dhe administrohen formularët e vetëdeklarimit, për subjektet të cilët në zbatim të akteve të sipërcituara e paraqesin atë pranë tij,” – thuhet në një njoftim të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë në përputhje me parashikimet e akteve të sipërcituara, ka hartuar dhe publikuar në faqen zyrtare të tij edhe Regjistrin “Për vetëdeklarimin pranë Kryetarit të Kuvendit të titullarëve apo anëtarëve të organeve kushtetuese, institucioneve të krijuara me ligj, si dhe funksionarët politikë të Kuvendit”.

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, pritën në një takim sot prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla për të biseduar mbi vijimin e procesit të zbatimit të këtij ligji, përgjegjësitë që ai ka si organ përgjegjës për administrimin e vetëdeklarimeve, si dhe bashkëpunimin me këtë institucion në zbatim të parashikimeve ligjore.