Kuvendi miratoi sot me 114 vota pro aktet nënligjore në funksion të Ligjit të Dekriminalizimit. Pas konsensusit dhe kalimit në Këshillin e Mandateve, deputetët e të dy palëve u shprehën të gatshëm për të votuar materialin e përbashkët.
Në emër të PD-së, deputeti Oerd Bylykbashi, tha se palëve iu desh shumë kohë për të rënë dakord për pak nene.
“Ishte e qartë që kur objektivi është që të fitohet me çdo kusht, çdo gjë ndodh dhe për fat të keq kjo ishte. Mesa duket nuk kishte aspak mundësi që nëpërmjet vullnetit ta mbanim të keqen jashtë Parlamentit. Na u desh një vit që konsensusin e dhjetorit 2014 ta kthenim në ligj. Shumë kohë për kaq pak nene. Shqiptarët presin nga ne që ta miratojmë. Një pakt kur bëhet, respektohet. Nuk kishte pse çdo gjë të arrihej në limitet e fundit. Nëse do të kishim pasur vullnet, do të ishte bërë më parë. Kjo që keni përpara është një ligj që nuk lë shteg për kriminelët të hyjnë në Kuvend dhe as ata që duan t’i fusin nuk mund të justifikohen se nuk e dinin”, tha Bylykbashi.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha se në lidhje me këtë ligj, maxhoranca nuk ka pasur asnjë hezitim. Duke iu drejtuar ish-kryeministrit Berisha, Ruçi tha se më në fund i dha dritën jeshile konsensusit.
“Ka dy ditë që publiku është informuar për negociata shumë të rëndësishme. Përfundimisht që më së fundi doli tymi. Shyqyr zoti Berisha që e lëshove më së fundi tymin. Ne jemi treguar seriozë. U bë një pakt edhe me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Ky pakt u konkretizua me ndryshimet ligjore për një ligj organik, moral dhe politik të të zgjedhurve dhe të emëruarve në administratën publike. Ne vendosëm që për çështje për të cilat maxhoranca nuk ka pasur asnjë hezitim”, tha Ruçi.





