Me konsensus të plotë, Kuvendi ka miratuar rezolutën e paraqitur nga Partia Demokratike për nderimin dhe mirënjohjen e thellë nga Republika e Shqipërisë për figurën e presidentit kosovar Ibrahim Rugova.

Rezoluta mban në konsideratë rëndësinë madhore të shtetit të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për stabilitetin e rajonit të Ballkanit, si edhe nderon me mirënjohje rolin e jashtëzakonshëm e udhëheqës të presidentit Ibrahim Rugova në rrugëtimin e shqiptarëve drejt shtetit të pavarur të Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson lart punën intelektuale dhe aktivitetin politik e shtetëror të presidentit Ibrahim Rugova dhe riafirmon mbështetjen e plotë për rrugëtimin evropian dhe euroatlantik të Republikës së Kosovës, si dhe vlerëson mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë mbështet nismën për vendosjen e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova në një nga sheshet kryesore të qytetit të Tiranës dhe i sugjeron Bashkisë së Tiranës të finalizojë këtë nismë.