Mazhoranca do të presë Presidentin e Republikës të shprehet me dekret për emërimin e dy ministrave Ahmetaj dhe Ekonomi brenda datës 23 shkurt, dhe më pas pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetutese për shkelje të Kushtetutës nga kreu i shtetit me kërkesën për shkarkimin e tij. Burime nga mazhoranca thanë se Kuvendi nuk do të hedhë në votim dekretet e presidentit Bujar Nishani për shkakrimin e ministrave Cani dhe Ahmetaj, sikurse veproi një ditë më parë, në rast se kreu i shtetit nuk dërgon edhe dekretet e emërimeve.

Nënkryetarja e Kuvendit nuk dha arsye për mos hedhjen në votim të dy dekreteve të presidentit për shkarkimin e ministrave, por burime të sigurta të Ora News nga mazhoranca thanë se presin që kreu i shtetit të dekretojë edhe zëvendësimin e tyre, çka do të thotë emërimin në krye të Ministrise se Financave të Abren Ahmetjat dhe të Milva Ekonomit tek Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Zyrtare të shumicës e arsyetojnë mosvotimin me shmangien  e vakuumit ministror, sikurse sqarojnë se kanë dhjetë ditë afat për të  votuar dekretet e shkarkimit.

Të njëjta burime, i thanë Ora News se do të presin që Presidentit i Republikës të përmbushë detyrimin e tij kushtetues për dekretimin e ministrave brenda shtate ditësh, pra deri në 23 shkurt. Mazhoranca, thotë se në rast se presidenti nuk firmos, do të jetë në shkelje të Kushtetutës, që i jep të drejtë çdo partie  parlamentare, të vihen në lëvizje dhe t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Marrë nga Ora News