TIRANË– Kuvendi i Shqipërisë nis sot punimet e sesionit të VIII-të të Legjislaturës së VII-të. 

Në këtë seancë, që është dhe e para për këtë vit, deputetët pritet të miratojnë programin e punës së Kuvendit për periudhën 21 janar- 21 mars, si dhe kalendarin trejavor të punimeve për periudhën 21 janar-8 shkurt. 

Axhenda e seancës së sotme, që do të mblidhet pasdite (ora 17:00), ka në rend dite, sikurse edhe në seancat e fundvitit të shkuar, tre draftet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që janë kusht që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat: P/ligji "Për Gjykatën e Lartë"; ai "Për nëpunësin civil", si dhe ndryshimet në rregulloren parlamentare. 

Gjithashtu, Parlamenti në këtë fillim sesioni pritet të miratojë dekretin e Presidentit të Republikës, që i propozon Kuvendit dy kandidatura për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive(IDKP), përkatësisht znj. Zana Xhuka dhe z.Shkëlqim Ganaj. 

Po ashtu, deputetët pritet që të vendosin për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të aktit "Për ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit".