Finalizohen negociatat për dekriminalizimin ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. PS dhe PD kanë arritur konsensusin për disa nga ceshtjet që diskutoheshin, përfshirë edhe vetëdeklarim nga kryeministri dhe ministrat që nuk janë deputetë. Kryeparlamentari Ilir Meta i ka kyçur në orën 14:30 në zyrën e tij dy negociatorët e dekriminalizimit, Oerd Bylykbashin dhe Taulant Ballën, derisa ata të gjejnë gjuhën dhe të bien dakord për disa akte që i ndajnë.
Diskutimi mes tyre ka zgjatur disi, por mësohet se ata ranë dakord për shumë çështje dhe debatuan për çështjen e përdorimit të dy emrave nga zyrtarët që do të bëjnë vetëdeklarimin, si edhe procesin e verifikimit nga vetë organi administrues. Kështu, dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm, Taulant Balla i PS dhe Oerd Bylykbashi i PD, u bënë shkak për të shtyrë mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit me deputetët. Nga dakortësia mes tyre varet dhe rifillimi i seancës parlamentare, një kusht ky i Partisë Demokratike që kërkoi futjen në fuqi të ligjit për dekriminalizimin në afatin e përcaktuar, me 6 mars.





