TIRANË,17 tetor 2013 – Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot pasdite Aktin Normativ të Qeverisë, që shfuqizon për 6 muaj ligjin "Për nëpunësin civil". Miratimi është bërë me 84 vota pro dhe 4 kundër, asnjë abstenim, në mungesë të opozitës, me përjashtim të 4 deputetëve të PDIU-së, që kishin deklaruar votën kundër që në fillim. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, sqaroi para votimit se ky Akt votohet vetëm njëherë nga Kuvendi, pra, miratohet ose rrëzohet.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi se janë bërë përpjekje maksimale për të arritur e siguruar dialogun me opozitën. “Lidhur me deklaratën e PD, duhet të sqaroj që Kushtetuta e miraton me rendin e ditës. Së dyti ne kemi bërë përpjekjet maksimale për të mos u nxituar madje dhe e shtymë nga java e mëparshme, e shtymë për sot diskutimin këtij akti normativ kaq të rëndësishëm me qëllim për dialog me nivele të larta të kryetarit të qeverisë dhe opozitës dhe kryetarit të kuvendit, gjë që nuk u bë.”- tha Meta.





