“Kur një parti politike përdor vezët për t’u shprehur, ka ardhur në pikën e një shterrimi të plotë.” Me këto fjalë e ka komentuar kryeministri Edi Rama sulmin me vezë ndaj tij gjatë seancës së Kuvendit.

Përmes një postimi në Facebook, të cilin e shoqëron me pamjet e një pule dhe disa vezëve të vizatuara, Rama e cilëson Partinë Demokratike “një parti që ka dy vjet e kusur që jep e merr me hijet dhe me objektet”. Një parti që, sipas kryeministrit Rama, ishte krijuar si alternativë qeverisëse por u degradua në një organizatë kakarisëse. Kryeministri nuk beson se vezët u përdorën për të penguar reformën në drejtësi. Përkundrazi, shkruan ai: “Vezët u kthyen në armë opozitare, sepse Partia Demokratike ka ardhur në një pikë shterrimi për shkak se nuk mundi asnjëherë dot, të ringrihej realisht nga fusha e disfatës së 23 qershorit 2013. Aq sa disfatën e 21 qeshorit 2015 e përjetoi si fitore të cunguar nga regjimi kriminal.”