Kuvendi i Kosovës ende nuk ka një datë të saktë për vazhdimin e seancës ku do të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit. Është përfolur së partitë parlamentare i kanë bërë 80 votat e nevojshme për ta miratuar. Kreu i Kuvendit Kadri Veseli u shpreh i sigurt në konferencën e sotme për shtyp se marrëveshja do të miratohet. Por se kur, kjo është ende e paqartë.
“Çështja e shënjimit të kufirit me Malin e Zi do të përfundojë. Ka mundësi të mbahet brenda këtyre ditëve shumë shpejt, ka mundësi me shku javës tjetër por e rëndësishme është që të mos bëjmë gabimet që jemi duke bërë.”
Javët e fundit seanca është shtyrë më shumë se tre herë për mungesë të votave të nevojshme. Më 24 shkurt, Lidhja Demokratike e Kosovës ra dakord të votojë pro marrëveshjes, për të cilën tashmë janë të garantuara 78 vota pro.
Nevojiten të paktën 2 vota, të cilat mund të merren nga Vetëvendosja, që shpallur qëndrimin “kundër” ose Lista Serbe me të cilën javën e kaluar u tha se ishte arritur një marrëveshje. Çdo vonesë është në dëm të qytetarëve Kosovarë që presin të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Europian, pasi kjo varet drejtpërdrejt nga miratimi i kësaj marrëveshjeje.