Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Rezolutën për unifikim të pikave doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Rezoluta për zbatimin e kësaj marrëveshjeje mes dy vendeve është miratuar me 67 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.
Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, si propozues i debatit parlamentar dhe i mbështetur nga gjashtë deputetë tjerë për unifikimin e doganave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në seancën e mbajtur një ditë më parë lidhur me këtë çështje, tha se unifikimi doganor nuk u arrit asnjë herë dhe të dyja vendet janë të vonuara për rezultatet që do të sillte ky unifikim.
“Qeveria e Kosova duhet të na tregoj se ku ka mbërri diskutimi ndërmjet dy shteteve. Qeveria duhet të raportoj se çka është bërë më shumë në lidhje me aspektin ligjor të këtyre marrëveshjeve dhe ku ka mbërri zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara nga të dy shtetet respektive”, ka thënë Ymeri, duke shtuar se Qeveria po ashtu duhet të tregojë se deri në cilën kohë ka planifikuar që marrëveshjet e nënshkruara të bëjnë një bazë të plotë rregullimi për unifikimin doganor me Shqipërinë.