Me 105 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, Parlamenti ka votuar pro shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Raporti i Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit u votua më herët me 104 pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 e pavlefshme.

Ky raport gjente shkeljet e Metës, kryesisht gjatë periudhave para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit, 2021.Shkelja e unitetit, njëanshmëria në zgjedhje, deklaratat për dhunë, janë disa nga konstatimet e raportit që brenda pesë ditësh do të shkojë në duart e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Janë ata që do të shqyrtojnë dhe brenda tre muajve do të shprehen lidhur me shkarkimin e presidentit Meta.

Kjo është hera e parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë, që votohet për shkarkimin e presidentit, për më tepër, të një presidenti të propozuar dhe zgjedhur në këtë post nga vetë maxhoranca e qeverisë Rama katër vite më parë.