Rreth atmosferës së asaj periudhe, Aleksandër Meksi në cilësinë e historianit shkruan: “Më 21 nëntor Ismail Qemali dhe pasuesit e tij zbarkuan në Durrës, pasi iu nënshtruan kontrollit të personelit të dy anijeve luftarake greke që kishin bllokuar portin. Në Durrës ndenjën një ditë për të biseduar me popullsinë e atyshme për shpëtimin e atdheut, por pasi nuk pati pritjen e duhur u dërguan telegrame Parisë së Beratit dhe Elbasanit, që të bëhej Vlora qendër e mbledhjes.

Këtë e mësojmë edhe nga një telegram me datën 25 nëntor 1912 (12 vjeshtë e tretë  1328 H), që Prefekti i Durrësit Mahir i dërgon Komandës së Trupit Ushtarak në Janinë dhe Portës së Lartë, ku thuhet se Ismail Qemali ka zbritur në Durrës ditën e parë të Bajramit. Prej andej erdhi urdhri që ta arrestonin dhe Ismail Qemali me shoqëruesit e vazhduan udhëtimin në brendësi të vendit. Siç dihet, ata mbërritën në Vlorë më datë 25 nëntor dhe caktuan të mblidhen më datë 28, ditë e enjte, siç na kumton Qemal Bej Karaosmani, që të mund të mblidheshin gjithë delegatët.

Letërkëmbimi tregon se Pavarësia tashmë ishte e vendosur dhe dy ditët e fundit atë e shpallën, duke ngritur flamurin kuq e zi me shkabën dykrenore, qytetarët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit e Lushnjës”.

Rreth mbledhjes së Kuvendit të Vlorës ku u vendos Shpallja e Pavarësisë, Meksi na sjell këtë atmosferë politike: “Kuvendi i Vlorës dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve, por edhe të publikut të gjerë, për rëndësinë dhe përmbajtjen historike, si mbledhja që hodhi themelet e shtetit shqiptar, të Shqipërisë së “mosvarme”, siç e thotë vetë Akti i Shpalljes së Pavarësisë. 

Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi i procesverbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” (numrat 6-11, janar-shkurt 1914) drejtuar nga Dhimitër Berati dhe ribotimin pas tij nga Lef Nosi në fletoret e tij “Dokumente Historike” nr. 1(1924)-nr. 12(1925). Të dy këta burra të shquar kanë qenë pjesëmarrës të Kuvendit qysh nga dita e parë dhe njëherazi dhe firmëtarë të Aktit të Pavarësisë”.