Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat pas mbledhjes së Kryesisë sot duke u shprehur se opozita do të vijojë aksionin e saj në Parlament ashtu si seancën e fundit plenare.
Ai u shpreh se do ketë çdo formë beteje kundër qeverisë, duke mos përjashtuar as protestat, edhe pse nuk dha detaje të mëtejshme.
“Kjo betejë nuk kishte të bënte asgjë me zhvillimet e mëvonshme, por ato nuk ishin të paparashikuara. Edi Rama kur pa deputetët në vendosmëri absolute të qëndrojnë për të drejtat që ai shkelmon, mendoi se duke hapur një proces antidemokratik do na dekurajonte, por e vërteta është se doli e kundërta. Beteja do vazhdojë.
Kjo është një betejë kundër diktaturës së instaluar të bazuar në drogë, krim e asgjësimin e opozitës. Opozita ndodhet para de facto asgjësimit të saj nëse vazhdon kështu. Ditën e enjte deputetët të betuar se nisin betejën pa kthim shënon kthesë në qëndresën tonë për rivendosjen e pluralizmit në vend.
Çdo formë beteje do ketë. Ju garantoj. Do jetë në çdo formë proteste. Edi Rama nuk pranon opozitë tjetër veç asaj që kontrollon. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin tonë si opozitë, nuk pranojmë të jemi opozitë fiktive”, u shpreh ai.