TIRANE, 04 mars 2013 – Kuvendi miratoi të hënën me 134 vota pro aktin normativ të qeverisë për pajisjen me leje përdorimi të shtesave të ndërtimeve pas vitit 2006. Opozita pavarësisht se votoi pro këtij akti të qeverisë tha më herët në debatin e saj se akti normativ është jo i plotë si sa i takon përmbajtjes, ashtu edhe ligjshmërisë.
Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, tha se ky akt normativ u jep zgjidhje rreth 260 pallateve ose 11 mijë apartamenteve në kryeqytet dhe rreth 2 mijë apartamenteve dhe shtëpive private në gjithë Shqipërinë. Olldashi i kërkoi opozitës të votonte aktin normativ, pasi tha ai, zgjidh çështjen e 70 mijë banorëve në të gjithë vendin.
Në bazë të aktit normativ të miratuar nga qeveria, të gjitha shtesat pa leje të pallateve të reja do të legalizohen me procedura më të përshpejtuara. Sipas këtij akti, do të pajisjen me leje përdorimi objektet e ndërtuara me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit para fillimit me efekte të plota të ligjit "Për planifikimin e territorit".





