Kuvendi miratoi këtë të enjte Ligjin për Lojërat e Fatit duke i hapur rrugë mbylljes së të gjitha pikave të basteve, lojërave elektronike, si dhe të kazinove në qendrat e banuara, duke filluar nga data 1 janar 2019.
Në një seancë ku munguan deputetët e opozitës, maxhoranca miratoi me 75 vota pro, asnjë kundër, Ligjin për Lojërat e Fatit. “Tashmë nuk ka më asnjë ekuivok dhe 1 janari 2019 është në këtë industri një epokë e re dhe jo vetëm në këtë industri, por është një epokë e re sociale… Nuk ka kthim mbrapa, më 1 janar këto kategori nuk do të ekzistojnë më në industrinë e lojërave të fatit”, tha ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj.
“Pas datës 31 dhjetor 2018, asnjë shoqëri nuk mund të vendosë apo afrojë lojëra fati sipas konceptit VLT, përveç rasteve të kazinove në hotele me 5 yje. Këtu mbyllen të gjitha mundësitë”, tha Ahmetaj.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama tha se “këtë vendim e mbështet mbi 70 përqind e popullsisë dhe 92 përqind e grave shqiptare. Ky është një vendim që shkon përtej të gjitha dallimeve të politikës dhe debatit të përditshëm politik apo shoqëror në Shqipëri”.





