Kuvendi i Shqipërisë mirëpret takimin e Komisionit për Demokraci dhe Siguri i Asamblesë Parlamentare të NATOS-s, i cili do të mbahet në datat 16, 17 dhe 18 prill.
Sot, në hapje të takimit përshëndeti Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
“Organizimi i këtij takimi në Kuvend rikonfirmon rolin dhe kontributin aktiv të Shqipërisë në Aleancë. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria është rasti më tipik që dëshmon se kontributi në Aleancë nuk varet as nga madhësia e vendeve anëtare, as nga pasuria, as nga niveli i zhvillimit, as nga historiku dhe jetëgjatësia në Organizatë. Por nga përkushtimi i sinqertë për paqen, sigurinë dhe lirinë e kombeve. Ne, shqiptarët, e kemi fituar besimin dhe bindjen e Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të mëdhenj e të NATO-s, me përkushtimin tonë të qartë, të vendosur dhe pa asnjë dilemë në zbatimin e vendimeve të Aleancës. Investimi për paqen dhe sigurinë nuk sjell sigurokraci, por ushqen procesin, institucionet dhe vlerat demokratike. Kjo sinergji ka më shumë domethënie në kushtet e luftrave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Shqipëria është sot lidere rajonale në luftën kundër influencave joperëndimore në rajon. Këto influenca nuk janë më ideologjike dhe kulturore, por rreziqe të ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në sistemet tona, në funksionimin e institucioneve, agjencive dhe të proceseve të zhvillimit”, theksoi Kryetarja Nikolla.
Përfaqësuesi i Komisionit për Demokraci dhe Siguri, z. Vasile Dincu, përgëzoi Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërisë “Për lidershipin e vendit si një partner i denjë dhe aktiv i Aleancës, për rolin dhe kontributin e Shqipërisë për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, për kontributin aktiv në misionet paqeruajtëse të NATO-s, të cilat vlerësohen shumë nga Aleanca.”
Znj. Mimi Kodheli, Kryetare e Delegacionit të Përhershëm Parlamentar të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të NATOS-s vuri në dukje se “Shqipëria është një anëtare e vyer dhe aleate e besueshme e NATO-s. Shqipëria e konsideron bashkëpunimin dhe rritjen e besimit midis aleateve dhe partnereve qofshin këta rajonale apo mbare botërore, si një element kyç për promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes, kudo. Kjo filozofi e përqasje qëndron në themel të politikës sonë të jashtme. Rajoni i Ballkanit, përtej retorikes politike, ka njohur zhvillime të rëndësishme në drejtim të integrimit euro-atlantik, ndërkohë që ky proces përbën edhe makinerinë kryesore për kryerjen e reformave dhe ruajtjen e stabilitetit në vendet e tij. Bashkëpunimi dhe perspektiva euro-atlantike janë thelbësore për t’i mbajtur vendet e rajonit tonë në rrugën e demokracisë paqes dhe prosperitetit.”