27 nentor 2013- Parlamenti miraton vendimin e ri për trajtimin financiar të deputetëve. Ulet shtesa për komisionet.Vendoset pagë fikse, hiqet dita e punës për mungesat në seancë. 
Parlamenti miraton me shumicë votash një vendim për mënyrën e trajtimit të deputetëve. Në aktin, i cili është propozuar nga deputetët Taulant Balla dhe Robert Bitri, përcaktohen të gjitha modalitetet se si do të paguhen deputetët për pjesëmarrjen në seancat parlamentare, komisione dhe se si do të përfitojnë shpërblimet dhe dietat. 
RROGA
Me vendimin e ri paga e një deputeti do të jetë fikse dhe e palidhur me pjesëmarrjen e tij në komisionet parlamentare. Në pikën e parë të këtij akti thuhet se “paga ditore e deputetit llogaritet mbi pagën bazë, pa përfshirë shpërblimet dhe mbulimin e shpenzimeve. Për çdo mungesë pa shkaqe të përligjura në seancat plenare të Kuvendit deputetit i ndalohet paga ditore. Mungesa pa shkaqe të përligjura për efekt page quhet çdo mungesë, përjashtuar rastet kur me miratimin e kryetarit të Kuvendit, deputeti merr pjesë në veprimtari parlamentare brenda ose jashtë vendit”. Sipas këtij vendimi, paga mesatare e një deputeti është 150 mijë lekë (dita e punës është 6800 lekë, duke llogaritur 22 ditë pune në muaj), atij për çdo mungesë në seancë plenare do t’i mbahen pikërisht 6800 lekë. Ndërsa me vendimin e vjetër pjesëmarrja në seancat parlamentare përbënte 40% të rrogës (ose 60 mijë lekë). Nëse një deputet do mungonte në një nga katër seancat, atij i mbaheshin 15 mijë lekë.  
KOMISIONET 
Ndryshimi i dytë ka të bëjë me pjesëmarrjen e deputetëve në komisione. Megjithëse ata mund të jenë në dy komisione, nuk do të paguhen për më shumë se 12 mbledhje në muaj. Në këtë mënyrë ata do të marrin 24 mijë lekë shtesë mbi pagën bazë.