Kuvendi nisi seancën sot në orën 8:30, aty ku u ndërpre ditën e djeshme me fjalën e deputetit të LSI-së, Shezai Rrokaj. 

Deputetët mbajtën një minutë heshtje në nder të ish-deputetet Dritan Prifti i cili u nda nga jeta ditën e djeshme pas një sëmundjeje të rëndë gjaku.

Sot, atij i jepet lamtumira e fundit. Homazhet do të mbahen në nderim të tij te Muzeu Kombëtar nga ora 10:00 deri në 12:00, ndërkohë që trupi i pajetë i ish-ministrit do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e Shish-Tufinës në orën 13:00.

Ish-deputeti socialist i ishte nënshtruar së fundmi një operacioni tepër të vështirë në Itali, nga i cili nuk u vunë re përmirësime. Ai vuante nga një sëmundje agresive e gjakut prej një viti. Për këtë shkak ai kishte hequr dorë dhe nga jeta publike dhe politike.