TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 72 vota pro, 63 kundër dhe 1 abstenim ndarjen e mandateve të deputetëve sipas formulës së zgjedhjeve të fundit parlamentare të 2009-ës. Seanca u shoqërua me debate të ashpra për shkak të qëndrimeve të kundërta mes palëve për këtë çështje.
Demokratët ranë dakord që ndarja e mandateve të bëhej nga Kuvendi, sipas vitit 2009, në kushtet kur KQZ-ja nuk arriti ta përmbyllte këtë proces. Nga ana tjetër socialistët pretendojnë se procesi zgjedhor po kompromentohet ende pa nisur, pasi Kuvendi nuk mund të marrë kompetencat e KQZ-së.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi që çështja e mandateve të mos votohej në seancën e sotme, por palët të përafronin qëndrimet në mënyrë që siç tha ai, të mos shkelen ligjet dhe Kushtetuta. Sipas Ruçit, nëse mazhoranca vendos në mënyrë të njëanshme për çështjen e mandateve, zgjedhjet e 23 qershorit janë të konpromentuara pa nisur ende.
“Po diskutojmë për një kryer një krim dhe uzurpim shtetëror për zgjedhjet. Ju po kërkoni të prishni rregullat e lojës. Unë ju rikonfirmoj se nëse ju do e bëni këtë, do keni përgjegjësi të madhe ndaj kushtetutës dhe do ndëshkoheni rëndë, moralisht, politikisht dhe ligjërisht, por tani ju bëj kërkesë, debatin e bëmë, në emër të grupit ta lëmë debatin, të mos e votojmë, të vazhdojmë si më parë që ju në emër të PD, unë të PS, të mblidhemi për ndarjen e mandateve e të përafrojmë qëndrimet në zbatim të plotë të kushtetutës, të kodit dhe precedentëve parlamentarë, ndryshe e keni kompromentuar procesin që sot”,- u shpreh Ruçi para votimit.
Ndërkohë në emër të deputetëve demokratë, foli kreu i grupit parlamentar, Astrit Patozi, që tha se debati për mandatet është një debat politik i nxitur nga kreu i PS-së. Sipas Patozit, opozita nuk di çfarë kërkon, sepse tani kërkon miratimin e një projekti që vetë e rrëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Ky është një debat i pastër politik, për shkak të Edi Ramës, i cili sheh pas çdo kaçubeje një diversant që i kërcënon karrigen për pushtet. Për rreth 2 muaj me radhë, PS akuzoi PD se po kërkonte manipulimin e zgjedhjeve 7 muaj para se ato të mbaheshin. Përfaqësuesit e opozitës në KQZ refuzuan të kryenin detyrën për shkak të një urdhri politik. Sot ne po akuzohemi si manipulatorë se nuk po pranojmë që pikërisht ai projekt i rrëzuar nga PS në KQZ të mos miratohet. Kaq banale është historia. Nuk dini çfarë kërkoni, largoni paranojat, hiqni barrikadat në KQZ”,- deklaroi Patozi.