7 shtator 2015 – 118 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë votuan “Pro” për heqjen e imunitetit dhe për arrestimin e deputetit socialist, Armando Prenga. Votimi me 118 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim për heqjen e imunitetit të deputetit të qarkut të Lezhës, Armando Prenga, nisi sot sesionin e ri parlamentar duke bashkuar socialistët e demokratët në këtë votim.

Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi dje Kuvendit aprovimin për arrestimin e Prengës, ndërsa në një mbledhje të pasdites së të dielës, Këshilli i Mandateve dhe i Imunitetit vendosi ta pranojë këtë kërkesë duke i çuar Kuvendit propozimin për heqjen e imunitetit dhe për t’i hapur rrugë hetimeve.

Deputeti Prenga akuzohet se ka plagosur me një armë pa leje shtetasin Gjok Cali në konfliktin që ndodhi 3 net më parë në Laç.

/portali DurresLajm/