31 gusht 2013- Zbardhet shkaku i helmimit të 150 dasmorëve në fshatin Gorishovë të Fierit.
Drejtoria e Higjienës dhe Shëndetit në Fier bëri të ditur dje se kuzhinieri i dasmës ishte me salmonelë. Nga analizat e bëra në Fier lidhur me ngarkesat bakteriale të rostos dhe qofteve, rezultoi se në to ishte i bartur virusi i salmonelës. Kjo bëri që DSHP të niste për analiza dje dy kuzhinierët, nga ku rezultoi se njëri prej tyre ishte bartës i virusit. Këtë fakt e pohoi shefi i zyrës së Higjienës, Laze Bregasi. Ai deklaroi se pas analizave parapake të kryera në laboratorët e këtij institucioni, si dhe në Tiranë të mostrave të marra nga personeli i shërbimit, por edhe enët e gatimit dhe ushqimet e përdorura në këtë gëzim familjar, u zbuluan ngarkesa mikrobike në këto ushqime, kryesisht në gatimin e qofteve. Sipas tij, analizat paraprake kanë nxjerrë si bartës të virusit salmonela kuzhinierin e dasmës, i cili dyshohet të ketë qenë edhe shkak i helmimit të 150 dasmorëve. “Tashmë është marrë masa e mbylljes së lokalit, masa ndëshkimore me gjobë të konsiderueshme ndaj kuzhinierit të lokalit, si dhe vendimi për kurimin e tij. Paraprakisht, ky është dhe shkaku kryesor i helmimit të dasmorëve nga vetë natyra që ka mikrobi i salmonelës. Por ditën e hënë priten edhe përgjigjet nga laboratorët në Institutin në Tiranë”, u shpreh shefi i Higjienës së rrethit Fier, Laze Bregasi. Fillimisht u dyshua se shkak i helmimit kishte qenë mishi, pasi edhe vetë dasmorët u shprehën se kishin konsumuar vetëm produkte të saj. Nga veprimet e kryera rezultoi se mishi i therur nuk ishte i shoqëruar me certifikatën veterinare, çka shtoi dyshimet e ekspertëve të Higjienës. Një tjetër dyshim u lidh edhe me birrën, pasi disa shishe që u gjetën në lokal ishin me datë skadimi të kaluar. Por të dyja këto dyshime u hodhën poshtë shumë shpejt, pasi te thertorja ku ishte marrë mishi kishin blerë edhe konsumatorë të tjerë, të cilët nuk kishin shfaqur probleme. Ndërsa për birrën dyshimi u hodh poshtë pasi ndër të helmuarit kishte edhe fëmijë dhe mjaft të moshuar, të cilët nuk e kishin konsumuar. Të dielën e kaluar mbi 150 dasmorë u helmuan në fshatin Gorishovë të komunës Cakran. Më shumë se 50 prej tyre morën mjekim intensiv në Spitalin e Fierit, në repartin e Infektivit. 18 prej tyre ishin fëmijë. Mjekët e spitalit pohojnë se tashmë do të duhet që të gjithë pacientët të ribëjnë analizat, pasi dyshojnë transmetimin e sëmundjes së salmonelës te të gjithë të helmuarit, virus ky që shfaqet pak ditë pas infektimit.
Kuzhinieri, më parë gatoi për një përkujtimore
Mjekët shprehen se kuzhinieri me inicialet B.M., mund ta ketë përhapur virusin si rezultat i moslarjes së duarve pas kryerjes së nevojave personale, teshtimës apo kollitjes gjatë përgatitjes së ushqimit. Po ashtu mësohet se një ditë më parë se të zhvillohej dasma, i njëjti kuzhinier kishte gatuar për një ceremoni përkujtimore në fshatin Cakran por asnjë person nuk ka shfaqur probleme shëndetësore pas drekës mortore.
/panorama/





