Ky është Gleard Gusholli, 31-vjeçari i cili akuzohet se mori peng e dhunoi barbarisht për 1 javë bashkëjetuesen e tij 28-vjeçare. Ngjarja e rëndë ndodhi në një apartament në Tiranë, ku çifti bashkëjetonte prej pak kohësh.

Vajza e cila ndodhet në spital, ka deklaruar se Gusholli ka tentuar ta vrasë, ndërsa sipas saj, kjo nuk ishte hera e parë që ai e dhunonte. Vetë avokati i saj, në një prononcim për gazetarët kërkoi rikualifikim të veprave penale që rëndojnë mbi 31-vjeçarin, në pengmarrje dhe tentativë vrasje.
Avokati po ashtu tregoi se 28-vjeçarja ka lindur dhe është rritur në Gjermani, ku punonte si infermiere. Me autorin ishte takuar në një spital atje. Nga ai moment kishin nisur një histori dashurie dhe së fundmi e reja ishte kthyer në Shqipëri.
Shkak për gjithë këtë ngjarje të rëndë dyshohet se u bë xhelozia e sëmurë e 31-vjeçarit.





