Ky që shihni në foto është 39-vjeçari Ervis Murati, nga Shijaku, i cili humbi jetën në banesë, pasi kishte marrë mjekim në spitalin e Durrësit.

Vëllai i 39-vjeçarit, pas varrimit ka bërë denoncim në komisariatin e Shijakut ndaj mjekes P. Kristani 47 vjeçe e cila e ka mjekuar Ervisin ditën e enjte kur ai është shtruar në spitalin rajonal.

Pas mjekimit, Ervis Murati është dërguar në banesë, por ka ndërruar jetë, megjithëse sipas familjarëve nuk vuante nga sëmundje të tjera.

Familjarët kërkojnë të zbulojnë shkakun, pse i afërmi i tyre humbi jetën dhe për këtë arsye kanë kërkuar akt ekspertizën mjeko-ligjore.

Paraditen e së shtunës, policia njoftoi se në komisariatin e policisë Shijak ka nisur procedimi penalisht për mjeken P. Kristani, e cila akuzohet për “Mjekim i pakujdesshëm”.

“Për këtë shtetase ka bërë kallëzim shtetasi E. M., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme vëllanë e tij, shtetasin E. M., 40 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në banesë”,- bëri të ditur policia në njoftimin për shtyp.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.