Dy gra rumune dhe një shqiptar 30-vjeçar janë arresuar nga policia greke, pasi akuzohen se iu kanë zhvatur mijëra euro disa të moshuarve grekë.

Së fundmi, në mediet greke janë publikuar emrat dhe fotot e tre të arrestuarve nga policia greke. Bëhet fjalë për Ana-Malia Covaci 23 vjeçe, Cassandra Voina 22 vjeçe dhe bashkëpunëtori i tyre, Fatjon Demiri 30 vjeç.

Të tre të arrestuarit janë përfshirë në dy raste vjedhjesh e mashtrimesh kundër të moshuarve në Pieria. Sipas policisë, në shtator 2018 në Katerini, dy gratë me anë të një ilaçi kishin vënë në gjumë një 80-vjeçare dhe më pas i grabitën një shumë prej 6 000 eurosh dhe disa telefona celularë. Më pas dy të rejat janë larguar me shpejtësi pasi jashtë shtëpisë i priste 30-vjeçari shqiptar. 

Në një rast tjetër 22-vjeçarja Cassandra Voina kishte arritur t’i merrte një 76-vjeçari grek shumën prej 9.080 eurosh, në harkun kohor të dy vjetëve. Tre të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës ku do të përballen me akuzat për zhvatje parash.