Nga data 1 tetor 2019, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Durrës ka një drejtor të ri. Emërimi i drejtuesit Arjan Cengu erdhi menjëherë pas arrestimit të ish-drejtorit Liridon Pula, i cili akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Drejtori i ri Arjan Cengu vjen në këtë post pas një eksperience 8-mujore në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, ku nga shkurti 2019 deri në shtator 2019 ka mbuluar detyrën e specialistit në Drejtorinë vendore të Kadastrës Tiranë-veri dhe në Drejtorinë Vendore të ASHK-së Rurale 1.
Arjan Besnik Çengu ka lindur më 25.05.1987 dhe ka frekuentuar shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, në Tiranë.
Studimet e larta i ka ndjekur në fakultetin e Drejtësisë në universitetin “Justiniani 1”, gjatë viteve 2006-2010.
Në vitet 2010-2012 ka punuar asistent avokat, ndërsa nga muaji prill 2012 deri në shkurt 2019 ka punuar si jurist në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme në Tiranë.
M.B.





