Kryetari i bashkisë së Lviv, Andriy Sadovyi ka akuzuar Rusinë për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve. “Ky është genocid, është shkatërrim i qëllimshëm”, tha ai për kanalin televiziv të Ukrainës 1+1.
Sadovyi u shpreh se të paktën 6 persona mbetën të vrarë dhe 11 të tjerë u plagosën, përfshirë një fëmijë, në sulmin e së hënës në Lviv. Sipas asaj që shkruan BBC, dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë.
Genocidi shihet gjerësisht si krimi më i rëndë kundër njerëzimit dhe sipas ligjit ndërkombëtar përkufizohet si shfarosje masive e një grupi të caktuar njerëzish.
Ndërsa presidenti i SHBA Joe Biden ka akuzuar forcat ruse për kryerjen e akteve të genocidit në Ukrainë, shumë vende nuk kanë bërë të njëjtën gjë dhe nuk ka konsensus ligjor nëse Rusia është fajtore për krimin.





