Erjon Llapushi, një personazh i njohur i botës së krimit, nga Pogradeci, është autori i ngjarjes së rëndë, që i mori jetën kryekamarierit të ‘Rozafa Fish City’ në periferi të Elbasanit

I riu, një besimtar dhe praktikant fetar, kishte shkuar si klient në restorantin e njohur të Gjergj Lucës, ‘Rozafa Fish City’, në dalje të Elbasanit dhe në drejtim të Librazhdit, por 50-vjeçari që ishte në krye të detyrës si shef i kamarierëve, Gazment Kurmaku, e ka njoftuar se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar. Kryekamarieri i ka kërkuar të ngrihej dhe të ulej në një tavolinë tjetër. 

Por Llapushi e ka refuzuar kërkesën e Kurmakut dhe në debat e sipër e godet atë në bark me një thikë të marrë në tavolinë, ndërsa e ka goditur edhe me sende të forta në kokë. 50-vjeçari mori plagë të rënda dhe pësoi vdekje klinike. Ndërsa ndërroi jetë pasditen e sotme në QSUT, ku po mbahej në trajtim intensiv prej 5 ditësh.

Erjon Llapushi shkruante në rrjetin e tij social “Facebook” se i përkiste besimit islam. Në profil ai shkruante: “O Allah ma mer jeten si Besimtar Musliman”.

Erjon Llapushi është personazh i njohur për policinë. Ai është arrestuar disa herë dhe i dënuar me burg për ushtrim dhune, gjobëvënie dhe trafik droge.