Personi që shihni në foton e publikuar nga Shqiptarja.com, është koka e bandës së prostitucionit, e cila u godit mbrëmjen e sotme nga Policia e Shkodrës, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Koka e grupit kriminal me 7 persona ishte shtetasi Rinard (Frederik) Tota, i cili rezulton një emër i njohur për policinë. Në njoftimin e policisë thuhet se personi me dy emra është dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale.

Burimet i thanë Report Tv se Tota dyshohet të jetë bashkautor në tre vrasje, e para e ndodhur në 1999-n, kur mbetën viktima dy vëllezërit Alibali, dhe e dyta në fillim të vitit 2000, ku gjatë një shkëmbimi zjarri, humbi jetën një person. Në të dyja këto ngjarje, shtetasi i sipërpërmendur u lirua nga burgu për mungesë provash.

Më 14 janar të vitit 1999, vrasja ka qenë nga më të bujshmet në qytet. Ndërsa dy vëllezërit Alibali, Arturi dhe Osmani, kanë qenë duke pirë kafe, fare pranë shtëpisë së tyre në "Rus", një makinë është afruar dhe ka kërkuar të bisedojë me ta. Dy vëllezërit kanë dalë nga kafja dhe i janë afruar makinës. Pak ditë më parë, njëri nga vëllezërit kishte shkëmbyer fjalë me njërin nga autorët e vrasjes. Ata kanë shkuar pranë makinës me idenë se bëhej fjalë për të sqaruar ndodhinë e shkuar. Por prej makinës kanë dalë breshëritë e automatikut që kanë lënë të vdekur në vend dy vëllezërit, Artur Alibali, 35 vjeç, dhe Osman Alibali, 37 vjeç.

Në një errësirë të plotë, pasi mungonte energjia elektrike, vrasësit janë larguar pa u identifikuar për disa vite me radhë. Zbardhja e kësaj ngjarjeje të harruar prej vitesh ka ardhur në sajë të punës së përbashkët që janë duke bërë Drejtoria e Policisë së Shkodrës dhe Prokuroria e këtij rrethi për ngjarjet e vjetra, dosjet e të cilave janë konsideruar të mbyllura.

Në fillim të vitit 2000, Tota dyshohet se ka qenë pjesëmarrës në një shkëmbim zjarri në Xhabie, Shkodër, ku ka humbur jetën një person. Edhe në këtë rast, ai është liruar, pasi nuk është gjetur asnjë provë.