Një natë më parë, gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 30-vjetorit të themelimit të shoqatës “Durrësi Autokton” u nderua me dekoratën “Nderi i Kombit” arkeologu i njohur Vangjel Toçi.
Por paraditen e sotme, policia e Durrësit njoftoi se kishte gjobitur me 5 milionë lekë kreun e shoqatës, Abdulla Deliallisi sepse kishte shkelur Aktin Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020, pikën 2 të nenit 3, si dhe pikën 1 të Urdhrit nr. 633 datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”.
Për këtë gjobitje, por edhe dëmtimin e arkeologjisë në Durrës ka reaguar kreu i FRPD Artion Barjamaj.
Ai e konsideron këtë gjobë një sulm të vërtetë politik.
“Ky është një sulm i mirëfilltë politik ndaj arkeologjisë së qytetit, ndaj intelektualëve në qytet dhe ndaj çdo qytetari që e don vërtet Durrësin”,– shkruan Barjamaj.
Sipas Barjamajt, “nëse vërtet duhet gjobitur dikush, arrestuar dhe madje i duhet sekuestruar pasuria, nuk janë ata që mbrojnë arkeologjinë, por ata që shkatërrojnë arkeologjinë dhe betonizojnë në mënyrë barbare qytete 3,000 vjeçare…”
Postimi i plotë:
Të shkatërrojmë çdo identitet arkeologjik të Durrësit!
Ky duket se është misioni i sektit “Rilindje” në Durrës. Ky sekt po tregon qartë se ka një urrejtje të thellë ndaj gjithçkaje që përfaqëson arkeologjinë në Durrës (dhe jo vetëm).
Ashtu si komunistët dikur në vitet 70′ që shkatërruan kisha, xhamia, arrestuan priftërinj e hoxhallarë, armiku i ri për “Rilindasit” është arkeologjia.
Durrësi është shembulli konkret i realizimit të kësaj masakre.
•Mbetje arkeologjike të gjetura nëntokë të shkatërruara fshehurazi natën,
•Mure antik të shembur në mënyren më barbare,
•Pafund leje ndërtimi mbi këto vepra që e gjithë bota do dëshironte t’i kishte,
•Vepra betoni mbi apo pranë veprave ekzistuese arkeologjike duke shkelur “kokë e këmbë” ligjet e shtetit Shqiptar
•Pafund krime të tjera çdo ditë ndaj arkeologjisë së qytetit
Ky është bilanci që ka patur bashkia Durrës dhe kjo qeveri me arkeologjinë e qytetit të Durrësit. Ideologët e mëdhenj të “Rilindjes” kishin një filozofi shumë të qartë për këtë qytet: “Shkatërrojmë arkeologjinë që të lulëzojë betoni”.
Po tani?
Tani që shumë pak centimetra katror arkeologji kanë mbetur në qytet. Çfarë mund të shkatërrojnë tjetër?
“Duhen shkatërruar idetë që mbrojnë arkeologjinë!”.
Për këtë arsye, u vunë menjëherë në veprim.
Pas aktivitetit të ditës së djeshme ku u mblodh shoqata “Durrësi Autokton” me qëllim vlerësimin me dekoratën “Nderi i Kombit” arkeologun e njohur Prof.Vangjel Toçi (pas vdekjes), qeveria vendosi të gjobisë me Lek 5 Milion drejtuesin e shoqatës, z.Abdulla Deliallisi.
Ky është një sulm i mirëfilltë politik ndaj arkeologjisë së qytetit, ndaj intelektualëve në qytet dhe ndaj çdo qytetari që e don vërtet Durrësin.
Nëse vërtet duhet gjobitur dikush, arrestuar dhe madje i duhet sekuestruar pasuria, nuk janë ata që mbrojnë arkeologjinë, por ata që shkatërrojnë arkeologjinë dhe betonizojnë në mënyrë barbare qytete 3,000 vjeçare…





