Është plazhi me pushuesit më besnikë, madje për dekada me radhë. Currilat është një emër mjaft i dashur për durrsakët, pasi mësimet e para të notit, i kanë marrë pikërisht në këtë hapësirë detare të Adriatikut. Nostalgjia për vitet e fëmijërisë dhe rinisë i rikthen sërish në këtë copëz bregdeti, ku adhuruesit e notit mund të përshkojnë distanca të gjata në ujërat e kristalta të Adriatikut.

Për shkak të pastërtisë, qetësisë që zona ofron dhe shërbimeve brenda standarteve, plazhi i Currilave përfshihet në toplistën e plazheve më të frekuentuara nga të gjitha grupmoshat.

Pavarësisht ndryshimeve që e gjithë zona ka pësuar vit pas viti, pushuesit e përvitshëm nuk e ndërrojnë me asnjë plazh tjetër në botë. Bregdeti ranor dhe i cekët është perfekt për pushime familjare dhe afërsia me qytetin e bën mjaft të aksesueshëm për pushuesit nga qyteti dhe jo vetëm.

Në këto ditë me temperatura përvëluese, kredhja në ujërat e Adriatikut është kura më e mirë për të luftuar vapën.
M.B.





