Nëse po mendoni të ndryshoni qytet, ka gjasa që destinacioni ideal të jetë diku në Europë. Në një renditje të re globale të ECA International për periudhën 2025–26, plot 38 qytete europiane renditen mes 50 qyteteve më të jetueshme në botë, ndërsa të gjitha 10 vendet e para i takojnë po kontinentit të vjetër.

ECA International vlerëson qytetet sipas një game të gjerë kriteresh:

-infrastruktura dhe transporti
-cilësia e ajrit
-akses në shërbime shëndetësore
-siguria personale dhe tensionet politike
-mundësia për të ndërtuar një rrjet social dhe për të pasur aktivitete çlodhëse
-strehimi, shërbimet bazë dhe klima

Rezultati i këtij viti: nga 275 qytete të analizuara, Europa jo vetëm dominon majat e renditjes, por nuk ka asnjë qytet në 50-shen e fundit. “Performanca e fortë e Europës pasqyron dekada investimesh në mjedise të pastra, shërbime shëndetësore të nivelit botëror dhe infrastrukturë,” thekson ECA International, duke nënvizuar se kontinenti mbetet jashtëzakonisht atraktiv për të jetuar.

Berna, e shpallur qyteti më i jetueshëm në botë, nuk është vetëm e sigurt dhe funksionale, është edhe vizualisht magjepsëse.
Qyteti është ndërtuar rreth një kthese të lumit Aare, ndërsa Qyteti i Vjetër (Altstadt), i mbrojtur nga UNESCO, daton që nga shekulli i XII-të. Rrugicat me arkada, fasadat historike dhe kullat karakteristike i japin qytetit një atmosferë të qetë, por aspak të mërzitshme.

Ka megjithatë një anë tjetër të medaljes:
Zvicra nuk njihet për kosto të ulët jetese. Në fakt, shumë prej qyteteve që kryesojnë listën e jetueshmërisë, përfshirë ato zvicerane, shfaqen edhe në renditje të tjera për qira të shtrenjta dhe kosto të lartë të të ngrënit jashtë.

Top 10 qytetet më të jetueshme në botë sipas ECA International (2025–26)
Berna, Zvicër
Kopenhagen, Danimarkë
Stavanger, Norvegji
Gjenevë, Zvicër
Qyteti i Luksemburgut, Luksemburg
Hagë, Holandë
Vjenë, Austri
Mynih, Gjermani
Dublin, Irlandë
Lisbonë, Portugali