Deputeti socialist Erion Braçe, duke treguar rastin konkret të një fermeri, denoncon abuzimet që bëjnë grosistët, duke blerë prodhimet bujqësore shumë lirë dhe duke i shitur disa herë më shumë në Tiranë.
Braçe ka shpërndarë në rrjetin social “Instagram” fotot e prodhimit të fermerit nga Lushnja. Kastravecin ai po e shet me 25 lekë, ndërkohë që në tregjet e kryeqytetit shitet më shumë se 100 lekë, thotë deputeti. Sipas tij, ky është abuzim dhe dëmton si prodhuesin, ashtu dhe blerësin.
“Ky është trangulli i Artanit në Imshtë! Shihni serrën, prodhimin, cilësinë. Por çmimi dje ishte 25 lekë për kilogram!
I gjithë furgoni, me këtë çmim ka 15 mijë lekë mall. Shikoni 25 lekë për kilogram, nuk është as hak pune e as çmim tregu për bujkun, Artanin.
100-110 lekë për kilogram, nuk është çmim tregu as për tregtarin në Tiranë. Është grabitje për bujkun, është grabitje dhe për Artanin.
Kam dëgjuar atë argumentin e naftës, por naftë më shumë se 50 litra nga Tirana në tregun e Lushnjës nuk harxhon furgoni.
Bëjnë 11.600 lekë, që për 2000 kg trangull, i shtojnë çmimit 5.8 lekë/kg. Pra, 25 lekë çmimi i trangullit, plus 5.8 lekë kostoja e naftës, arrin në 30.8 lekë.
E shihni tani diferencën nga 30.8 lekë në 100 lekë te çmimi në Tiranë, atje ku blen qytetari?! Është turp!”