Ky është vinçi i ri lëvizës IMHC 2120 që iu shtua flotës së mjeteve për përpunimin e mallrave në portin e Durrësit.
Vinçi në fjalë pritet të modernizojë procesin e përpunimit të mallrave në portin më të madh në vend, pasi shtrirja e tij në 51 metra, kapaciteti i lartë i tonazhit dhe automatizimi i operacioneve garantojnë rritje të rendimentit.
Vinçi i ri mbërriti pasditen e djeshme në port dhe “DurrësLajm” solli përmes pamjeve filmike momentin kur mjeti gigand që erdhi nga Ravena, po ankorohej në kalatë.
“Nga Ravena drejt Portit të Durrësit për modernizimin e logjistikës portuale dhe rritjen e efiçencës së përpunimit”,- shkruante pak ditë më parë APD në një postim në rrjete sociale.
Autoriteti Portual Durrës hapi në muajin prill tenderin për blerjen e vinçit 80 tonësh, i cili ka kushtuar rreth 3.8 miliardë lekë të vjetra.
Porti i Durrësit eshte porti më i madh në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në hapësirën Adriatiko-Joniane.
“Volumet e mallrave të përpunuara në portin e Durrësit përfaqësojnë më shumë se 85% të tregtisë detare në nivel kombëtar”,- bën të ditur APD.