Një dietë e shëndetshme është gurthemeli kryesor i shëndetit të mirë.
Kohët e fundit hulumtuesit e Universitetit të Indianës kanë gjetur një arsye tjetër se pse një mineral i rëndësishëm mund të ndihmojë që të mbani tensionin e gjakut në nivele normale, shkruan Knowridge.
Ata kanë zbuluar se magnezi i bën venat e gjakut të zgjerohen. Kjo bën që presioni i gjakut të bie dhe ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe infarktit.
Studimet më të vjetra për rolin e magnezit në tensionin e gjakut nuk kanë dhënë një përgjigje definitive.
Por në studimin aktual, studiuesit kanë ekzaminuar 34 prova klinike të suplementeve të magnezit. Këto prova kanë përfshirë më shumë se 2 mijë njerëz.
Në këto prova njerëzit kishin marrë prej 240 deri 960 mg të magnezit në norma ditore.
Ekipi i hulumtuesve gjeti një lidhje të vogël, por të rëndësishme, ndërmjet sasisë së magnezit që është marrë dhe niveleve të tensionit të gjakut.
Sa më i lartë niveli i magnezit, aq më e mirë rrjedha e gjakut tek një person. Lehtësia e qarkullimit të gjakut është një faktor i rëndësishëm në kontrollimin e presion të gjakut, përcjell Gazeta Express.
Gjithsesi, hulumtuesit kanë lënë të kuptohet që magnezi duhet të merret si suplement vetëm nëse ju keni një mungesë të magnezit.
Për njerëz të tjerë, mbajtja e një diete të shëndetshme është mënyra më e mirë për të marrë mjaftueshëm magnez, thotë Shoqata Amerikane e Zemrës.
Ekspertët sugjerojnë që të merrni magnez në masën 368mg për një ditë.
Magnezi gjendet në misër, fasule, arra dhe perime të gjelbra. Mund ta gjeni gjithashtu në çokollatën e zezë dhe disa peshq me yndyrë të lartë.
Është e rëndësishme të dini që magnezi mund të ofrojë të mira të tjera për shëndetin, siç është luftimi i depresionit dhe zvogëlimi i rrezikut të kancerit të pankreasit.
Por, nëse merrni magnez të tepruar, ju mund të vuani nga efektet anësore të tij.
Këto përfshinë një çrregullim të rrahjeve të zemrës, presion të ulët të gjakut, konfuzion, frymëmarrje të ngadaltë, komë dhe madje edhe vdekje.