Të bësh intervistë me Ilir Metën, tashmë president të Republikës së Shqipërisë, nuk është e lehtë për gazetarët. Blendi Fevziu ka pranuar se Meta është politikani më i vështirë për t’u “zbërthyer” pasi nuk mundet ta kuptosh dot gjendjen e tij.
“Tmerri më i madh është kur bëhet intervistë me Ilir Metën. Ilir Meta është programor, provokoje sa të duash. Ama vjen një ditë që ti e pret të qetë ai është komplet e kundërta. Pra Metën nuk e kupton dot”,u shpreh moderatori i “Opinion” në këtë 20-vjetor të emisionit.
Në transmetimin maratonë të kësaj të enjteje me të ftuar, arkiva dhe intervista të reja që rikthyen edhe ish-kryeministrat Fatos Nano e Sali Berisha, politikane e pranishme në studio ishte edhe Monika kryemadhi. Në fakt kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë vazhdimisht e ftuar në Opinion dhe pikërisht me daljet e asaj ndër vite nisi edhe biseda në studio. Fevziu paraqiti një video me përmbledhje të daljes së Monikës në “Opinion”, që për gruan e parë që drejton një forcë politike në Shqipëri, shërbyen për të kuptuar se sa shumë ajo ka ndryshuar. Ajo është shprehur se këto pamje e kanë bërë të dallojë ndryshimin e madh tek vetja.
E pyetur nga Blendi Fevziu se për çfarë do ta kritikonte tek ai kur është përballe bashkëshortit të saj Ilir Meta në intervistë, Kryemadhi është shprehur se kur sheh Opinionin me Metën thotë: “Blendi Fevziu është shumë i poshtër. Si nuk ndryshoi njëherë ky njeri. Pasi ti ke provokuar shumë, dhe ke nxjerr më të mirën e debatit them di të ngacmoj njerëzit”.
Në fakt besohej se kryeministri Edi Rama ishte politikani më i vështirë për t’u intervistuar, veçanërisht nga Belendi Fevziu, ku siç është parë në bisedat e mëparshme LIVE, debati ka shpërthyer deri në të bërtitura dhe ndërprerje të vazhdueshme të fjalës nga ana e kryeministrit. Por edhe Fevziu është shfaqur gjithmonë këmbëngulës e për këtë shkak tonet kanë qenë gjithmonë të larta, sidomos në pikët e “nxehta” të intervistës ku kritikohet qeverisja e majtë.
Megjithatë, edhe pse më i qetë dhe gjithmonë me moton e deklaruar prej tij: “Me qetësi dhe dashuri”, kreu i shtetit Ilir Meta vështirë të dalë nga vetja!