Jeta sedentare është kthyer në një problem shqetësues për të gjithë për shkak të shumë faktorëve. Thuhet se qëndrimi për shumë kohë ulur në punë është i dëmshëm për shëndetin, por duket se ka diçka akoma më të rrezikshme se kjo.
Një studim i publikuar në “Journal of the American Heart Association” ka zbuluar se dedikimi i orëve të tëra ndaj televizorit është më i dëmshëm. U morën në studim rreth 3 mijë njerëz dhe u zbulua se ata që shikonin më shumë se 4 orë televizor çdo ditë, kishin 50% më shumë shanse të prekeshin nga sëmundjet e zemrës dhe vdekja e parakohshme krahasuar me njerëzit që shikonin televizor 2 orë në ditë.
Zakonisht njerëzit shikojnë televizor në fund të ditës dhe kanë tendencën që në këtë kohë të konsumojnë edhe më shumë ushqim. Të konsumuarit e ushqimeve të shumta dhe të qëndruarit ulur për një kohë të gjatë është një kombinim i rrezikshëm. Prandaj për të mos pasur probleme është mirë që të reduktoni kohën e kaluar para televizorit, ose në vend të kësaj të merreni me një aktivitet fizik si vrap apo thjesht një shëtitje në natyrë.