Mediat greke kanë zbardhur dëshminë e 22-vjeçares shqiptare, e cila u arrestua pasi la në makinë foshnjën 4-muajshe për 40 minuta dhe shkoi për të bërë pazar.
22-vjeçarja ka dalë para gjykatës dhe është njohur me masën e arrestit, ndërsa mësohet se është dënuar nga Gjykata penale e Selanikut me 6 muaj burg dhe 3 muaj kusht për neglizhencë.
Gjatë seancës gjyqësore e reja ka kërkuar falje ndërsa ka pranuar se ka gabuar. Ajo tha se vonesa kishte ndodhur për shkak se në dyqanin ku ishte futur për të blerë diçka, kishte pasur shumë radhë.
“E mora me vete sepse nuk kisha ku ta lija. E lashë sepse e ushqeja me gji gjatë gjithë rrugës. Fëmija ishte i lodhur. Kur arritëm atje e zuri gjumi. Shkova për të marrë disa gjëra dhe do të kthehesha shpejt. Në arkë kishte shumë njerëz, prandaj u vonova”, tha ajo.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, ndërsa ishte një dëshmitare okulare që kishte njoftuar policinë.
“Ajo ishte në sediljen e fëmijës, makina ishte e mbyllur dhe dritarja ishte gjysmë e hapur. Foshnja u zgjua dhe po qante”, tha dëshmitarja.