30 dhjetor 2014 –  E përditshmja italiane Gazzetta Dello Sport këmbëngul se qëndron Rezart Taci pas fondit ruso-qipriot që ka blerë Parmën, ekip ku u transferua vetëm para pak ditësh edhe futbollisti i kombëtares kuqezi, Andi Lila.

Sipas gazetës më prestigjioze sportive në Itali biznesmeni shqiptar po bën hapa të vegjël përpara për risktrukturimin e skuadrës duke lëvizur edhe për goditjet në merkato, megjithëse gjithmonë mbetet në hije dhe eviton lëshimin e deklaratave zyrtare. Sipas Gazzetta-s tashmë nuk ka më dyshime, pas Dastroso Holdings Limited, me seli në Limasol të Qipros, që bleu para pak ditësh paketën e shumicës së aksioneve të klubit italian, janë paratë e biznesmenit shqiptar, dhe është vetë ai që në këto ditë që po manovron fijet e operacioneve të merkatos, duke u interesuar për lëvizjet e ardhshme ndërsa po merr informacionet e duhura nga bashkëpunëtorët e tij për të planifikuar gjithçka.

Gjithmonë duke ju referuar Gazzettas, te Parma tashmë janë paguar detyrimet fiskale ndaj shtetit si dhe janë shlyer pagat e nëpunësve të klubit, dhe tani duhet të rregullohen llogaritë me furnitorët si dhe me lojtarët. Drejtori sportiv i Parmës Leonardi, i cili në një intervistë ekskluzive për Sport News pak ditë më parë nuk e mohoi përfshirjen e Tacit në projektin e ri të Parmës, ndërkohë po punon për të fuqizuar skuadrën.

Axhenda është plot me emra, dhe ndër ta janë dhe Marco Borriello dhe Hugo Campgnaro të cilët mund të jenë shokët e rinj të skuadrës të Andi Lilës në aventurën e tij të re në Serinë A.